“Më në fund morëm drejtësi. Kjo është dita më e bukur e jetës sime”, tha 78 vjeçarja Fata Orloviç, në truallin e së cilës ishte ndërtuar një kishë ilegalisht në vitin 1998. Grindja për të drejtat e tokës në fshatin boshnjak, Konjeviç Polje i ka rrënjët në luftën e Bosnjes (1992-1995). Familja e Orloviç duhej të largohej atëherë për shkak të luftës dhe të linte pas tokat. Disa pjesëtarë të kësaj familjeje myslimane, mes tyre edhe bashkëshorti i Fata Orloviç u vranë në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995.
Fata Orlovic
Pas kthimit në vendlindje, familjes iu kthye trualli përkatës me perjashtim të një pjese, mbi të cilën ishte ngritur një kishë. Pretendimet e familjes për truallin u pranuan juridikisht që në vitet 1991-2001 në Bosnje, por nuk u zbatuan në praktikë.
Familja e kaloi padinë tek Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, e cila në tetor 2019 në një vendim kërkoi nga Bosnja që t’ia kthejë plotësisht truallin familjes, përfshirë edhe parcelën, mbi të cilën ishte ngritur kisha.
Tani kisha u prish. Pjesë të kishës do të përdoren për ngritjen e një shtëpie të re të zotit në Bratunc. Konjeviç Polje është në afërësi të Srebrenicës në lindje të Bosnje-Hercegovinës në pjesën e republikës serbe. Në Srebrenicë, në verën e vitit 1995 u vranë rreth 8000 burra e të rinj myslimanë nga njësitë boshnjake-serbe. Masakra konsiderohet ndër krimet më të rënda në Europë pas Luftës së Dytë Botërore.
Të martën në Hagë jepet vendimi në procesin e apelit të ish-kreut të ushtrisë boshnjako-serbe, Ratko Mladiç, i cili u shpall fajtor për masakrën e Srebrenicës dhe u dënua me burgim të përjetshëm. 78 vjeçari kërkon lirimin nga burgu, familjarët e të afërm të viktimave shpresojnë në dënimin përfundimtar të Ratko Mladiçit.