Kryetari i Këshillit të Prindërve të Prishtinës, Jeton Demi, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se për momentin kthimi me prezencë fizike në shkolla paraqet vështirësi, por një gjë e tillë mund të bëhet vetëm me një skenar tjetër.
Deri më 26 shtator nuk do të fillojë procesi mësimorë në shkollat e vendit, vendim ky që doli nga takimi i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia me kryetarët e komunave.
Prandaj ai thotë se duhet të një rikthim gradual dhe fëmijët ta ndiejnë procesin mësimor më afër.
“Kushti i vendosur në udhëzuesin aktual i cili është publikuar dje nga Ministria e Arsimit, përcakton që kthimi në shkolla do të jetë vetëm me prezencë të plotë në shkolla, kjo paraqet vështirësi dhe në këtë moment paraqet problem kthimi me prezencë të plotë në shkolla, por edhe atëherë e kemi lënë mundësinë e një skenari tjetër, që shkollat të funksionojnë që mësimi të fillojë që të ketë një rikthim gradual dhe fëmijët ta ndiejnë procesin mësimor më afër”, është shprehur ai.
Sipas tij, kthimi në shkolla me prezencë fizike paraqet rrezik për shkak të variantit Delta.
“Përkundrazi që udhëzuesi parasheh katër skenarë një me të cilin fillon dhe tre të tjerë vendosen në nivel të shkollave, jemi jo dakord që mësimi të mos fillojë në asnjë skenar dhe pritet që të ketë shtyrje, besojmë që nuk është zgjidhja më e mirë përkundër që jemi dakord që kthimi i plotë në shkolla paraqet rrezikshmëri të lartë për shkak të variantit Delta”, ka shtuar ai.
Demi pohon se shqetësuese mbetet edhe mungesa e mësimëdhënësve, duke marrë për bazë se nga procesi do të lirohen shtatëzënat.
“Kemi vonesa në përgatitjet e udhëzuesit, pra po vazhdon përgatitja e shkollave e furnizimit me libra, ka element pozitivë në udhëzuesin e ri po ka edhe ngarkesë më të madhe të institucioneve në nivel të shkollave, por shqetësimin e kemi që nuk kemi mësimdhënës rezervë dhe do të ballafaqohemi me mungesë të mësimdhënësve sepse do të lirohen edhe mësimdhënëset shtatzëna, andaj mangësinë e mëparshme do ta kemi të shtuar”.
“Ka lëvizje pozitive te pjesa e mësimit në distancë dhe duket se do të kemi mundësi shtesë edhe përmes Youtube dhe Televizionit Publik, që mund të ndihmojnë mësimin në distancë, por për mësimin online nuk kemi përgatitje diçka më të mirë dhe nuk kemi informacion të saktë se ku jemi”, ka përfunduar ai.