UBT News

“Princi i shkëmbinjve” kthehet në Bristol, ekspozohen akuarelet e rralla të JMW Turner

Ekspozita me akuarele të brishta dhe të rralla eksploron udhëtimet e artistëve në dhe përreth Grykës së Avonit

Një ekspozitë e rrallë me akuarele të JMW Turner, të frymëzuara nga eksplorimet e tij adoleshente në Grykën e Avonit, është hapur në Muzeun dhe Galerinë e Arteve të Bristol. Veprat janë aq të brishta, sa zakonisht mbahen në depo me kujdes të madh, ndaj ky mund të jetë një prej rasteve të rralla kur publiku ka mundësi t’i shikoj.

Muzeu i Bristolit u vlerësua më lart se një koleksionist privat për veprën The Rising Squall të Turner.

Ekspozita vjen edhe si shenjë falënderimi për publikun, pasi mbi 100 mijë funte u mblodhën për vetëm një javë nga donatorët, me qëllim që muzeu të siguronte një tjetër pikturë të Turnerit me temë Bristol. Përpjekja “Bring Turner Home” (Sillni Turnerin në shtëpi) përfundoi me zhgënjim, pasi një koleksionist privat në Britani dha ofertë më të lartë dhe e rrëmbeu veprën The Rising Squall.

Megjithatë, publiku i Bristolit do të mund të shijojë katër akuarele të Turnerit, të pikturuara gjatë vizitës së tij të parë në qytet, në fund të shekullit XVIII, kur ai ishte vetëm 16 vjeç. Pikturat dëshmojnë për zotësinë e tij të hershme në detajet arkitekturore, vëzhgimin natyror dhe kompozimin dramatik.

Kuratorja Julia Carver tregon se Turner e vizitoi Bristolin në vitin 1791, ku qëndroi tek një mik i familjes, tregtari John Narraway. “Ata e quanin ‘Princi i shkëmbinjve’ sepse kalonte orë të tëra në grykë, duke eksploruar çdo cep të saj,” thotë Carver.

Gryka e Avonit dhe Pusi i Ngrohtë i Bristolit nga JMW Turner. Fotografia: c/o Muzeu dhe Galeria e Artit të Bristolit

Një nga punimet më të spikatura në ekspozitë është Mouth of the Avon, near Bristol, e cila paraqet pamjen drejt detit, të shtrirë mes shkëmbinjve poshtë Clifton Observatory. Një tjetër, Avon Gorge and Bristol Hotwell, sjell një version të hershëm të kompozimit që Turner do ta zhvillonte më vonë në The Rising Squall.

Kreu i kulturës në Këshillin e Qytetit të Bristol, Philip Walker, tha se fushata për të sjellë Turnerin në shtëpi ishte “më e madhja dhe më e guximshmja deri më tani”, ndërsa kjo ekspozitë është mënyra e qytetit për të falënderuar publikun dhe për të festuar lidhjen e veçantë të Turnerit me Bristol.

Përveç akuareleve të Turnerit, ekspozita përfshin edhe punime të Samuel Jackson, pjesë e Shkollës së Bristol, si dhe objekte nga koleksionet shkencore të muzeut, përfshirë fosile dhe kristalet e famshme të kuarcit të njohura si “Diamantet e Bristolit”.

“Prince of the Rocks: JMW Turner and the Avon Gorge” do të jetë e hapur nga 27 shtatori deri më 11 janar 2026 në Muzeun dhe Galerinë e Arteve të Bristol. Hyrja është falas./D.B/UBTNews/TheGuardian

Exit mobile version