Princi Harry ende mund të udhëtojë në Mbretërinë e Bashkuar për memorialin e Princit Philip pavarësisht betejës së tij me qeverinë për sigurinë, thanë burimet për Page Six, përcjell UBT News.
Sipas tyre, ngjarja e muajit të ardhshëm, ku do të marrin pjesë gjyshja e Harry-t, Mbretëresha, babai i tij, Princi Charles dhe vëllai, Princi William – mes anëtarëve të tjerë të familjes mbretërore – do të mbulohet nga sigurimi i shtetit.
Në raste të tilla kjo nënkupton se Harry do të mbulohej nga sigurimi gjitashtu, kështu që burimet thanë se ka ende një shans që ai të jetë prezent për memorialin.
Megjithatë, gjasat që Meghan Markle, dhe fëmijët Archie, 2 vjeç dhe Lilibet 8-muajshe, t’i bashkohen atij në eventin në Westminster Abbey më 29 mars besohet të jenë të pakta. Markle nuk është kthyer në Mbretërinë e Bashkuar që kur hoqën dorë nga rolet e tyre të larta mbretërore në mars të vitit 2020.
Mbretëresha – e cila aktualisht po vuan nga COVID – ende nuk e ka takuar Lilibet. Në të vërtetë, i vetmi anëtar i familjes që takoi vajzën e vogël deri më tani është kushërira e Harry-t, Princesha Eugenie, e cila fluturoi në Kaliforni për ta vizituar në fillim të këtij muaji.
Javën e kaluar, ekipi ligjor i Harry-t theksoi se ai dëshiron të vizitojë miqtë dhe familjen e tij në shtëpi në Mbretëri të Bashkuar, por “nuk ndihet i sigurt” pa siguri – për të cilën ai argumentoi se do të paguante.
Avokati i Harry-t i tha Gjykatës së Lartë në Londër të premten se ai dëshiron të sjellë familjen e tij për vizitë nga SHBA, por ata “nuk mund të kthehen në shtëpinë e tij” sepse është “shumë e rrezikshme”./UBTNews/