UBT News

Princ Harry kërkon mbrojtje nga policia gjatë vizitës në Britaninë e Madhe

Princ Harry ka marrë masa ligjore, të cilat do t’i siguronin mbrojtje policore gjatë vizitës në Britaninë e Madhe me familjen e tij dhe të gjitha shpenzimet do t’i paguante personalisht, tha përfaqësuesi i tij ligjor.

Harry, Duka i Sussex dhe gruaja e tij Megan humbën mbrojtjen e policisë në Britaninë e Madhe pasi vendosën të largoheshin nga familja mbretërore në vitin 2020. Çifti tani jeton në Kaliforni me fëmijët e tyre, Archie dhe Lilibet.

Princi dëshiron t’i çojë fëmijët për të vizituar Britaninë e Madhe, por ai dhe familja e tij “nuk mund të kthehen në shtëpi” sepse është shumë e rrezikshme për ta, tha avokati i Harry-t, duke përmendur kërcënimet “ekstremiste dhe neo-naziste” që familja kishte pranuar më parë.

Në verën e vitit 2021, “siguria e tij u rrezikua nga mungesa e mbrojtjes së policisë pasi u largua nga një ngjarje bamirësie”, tha avokati, duke shtuar se më 30 qershor, pas takimit me fëmijë me aftësi të kufizuara, paparacët vrapuan pas makinës në të cilën ai ndodhej.

Princi pretendon se anëtarët e sigurimit të tij në Shtetet e Bashkuara nuk kanë qasje në informacione për sigurinë në Britaninë e Madhe, gjë që është e nevojshme që ai dhe familja e tij të qëndrojnë të sigurt.

Aksioni ligjor i nisur në shtator dhe qëllimi i tij të ndikojë në rishikimin e vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme britanike, mund të vërë në siklet familjen mbretërore, tashmë përballë një gjyqi të mundshëm të Princit Andrew për shkak të akuzave për sulm seksual.

Për të mbrojtur monarkinë, Mbretëresha Elizabeth II i hoqi Andrew të gjithë titujt zyrtarë dhe ushtarakë këtë javë dhe po qarkullojnë zëra se princi tani po paguan vetë sigurinë.

Një zëdhënës i Princit Harry tha për agjencinë e lajmeve PA se “Britania e Madhe do të jetë gjithmonë shtëpia e Princit Harry, si dhe vendi ku ai, gruaja dhe fëmijët e tij duan të ndihen të sigurt”.

Exit mobile version