Duka i Sussex ka thënë se ka paralajmëruar shefin e Twitter-it, Jack Dorsey, për trazirat politike në SHBA – vetëm një ditë para trazirave vdekjeprurëse të 6 janarit, përcjell UBT News.
“Unë e paralajmërova atë që platforma e tij po lejonte të organizohej një grusht shteti”, tha Princi Harry.
“Email-i u dërgua një ditë më parë. Dhe më pas ndodhi [ngjarja në Kapitol] dhe që atëherë nuk kam dëgjuar më nga ai”, tha ai.
Ai po fliste në një seancë ku diskutohej nëse mediat sociale po kontribuonin në dezinformimin dhe urrejtjen në internet.
Dorsey, i cili është shefi ekzekutiv i Twitter, nuk është deklaruar ende mbi këtë çështje, transmeton UBT News.
Princi Harry, i cili tani jeton me gruan e tij, dukeshën e Sussex Meghan Markle, u shfaq në seancën e së martës përmes video-chat si folës i ftuar. Ai u prezantua si bashkëthemelues i organizatës Archewell.
Duka përdori përvojën e tij personale me urrejtjen në internet dhe shtypin për të reflektuar se kompanitë e mediave sociale nuk po bënin mjaftueshëm për të ndaluar përhapjen e dezinformatave.
Ai tha se interneti “po përkufizohej nga urrejtja, ndarjet dhe gënjeshtrat”, duke shtuar: “Kjo nuk mund të jetë e drejtë”.
Paraqitja e tij përmes video chat-it vjen dy javë pasi një kompani analitike e të dhënave pretendoi se 70% e urrejtjes drejtuar Dukës dhe Dukeshës së Sussex në Twitter ishte krijuar nga vetëm 55 llogari./UBTNews/