Moderatori i njohur televiziv, Vadim Gigin e cilësoi fjalimin e aktorit Arnold Schwarzenegger drejtuar rusëve si ‘propagandë’ të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gigin i bëri këto deklarata në një intervistë në “Sunday Evening with Vladimir Solovyov”.
Gigin iu referua Schwarzenegger-it si fytyra e “imperializmit dhe kolonializmit amerikan”. Ai e kritikoi Schwarzeneggerin, duke thënë: “Ai nga Kalifornia do të na tregojë neve, që jetojmë këtu, që kemi familjarët dhe shokë në Ukrainë, të vërtetën?”
Schwarzenegger postoi një video në llogarinë e tij të verifikuar në Twitter më 17 mars, duke folur kundër pushtimit rus të Ukrainës dhe duke u kërkuar rusëve t’i rezistojnë dezinformatave të vendit të tyre.
“Ka gjëra që ndodhin në botë që po ju mbahen të fshehura, gjëra për të cilat ju duhet të jeni në dijeni. Ukraina nuk e filloi luftën. As nacionalistët apo nazistët. Ata që janë në fuqi në Kremlin e filluan luftën. Unë e di se rusët nuk janë në dijeni se gjëra të tilla po ndodhin, prandaj u bëj thirrje rusëve dhe ushtarëve rusë në Ukrainë ta kuptoni propagandën dhe dezinformatat që po u servohen. Ju bëj thirrje të më ndihmoni ta përhapim të vërtetën”, deklaroi ai.
Videoja mblodhi më shumë se 35 milionë klikime./UBTNews/