UBT News

Prezantohet lista preliminare e viktimave të luftës, Kurti: E vërteta duhet të mbrohet përmes dokumentimit

Dje u mbajt takimi konsultativ i organizuar nga Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, ku u prezantua versioni fillestar i listës preliminare të viktimave të luftës dhe u diskutuan plotësimet dhe verifikimet e nevojshme të të dhënave.

Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë Albin Kurti theksoi rëndësinë e dokumentimit të krimeve të luftës dhe ndërtimit të një evidence shtetërore të besueshme, duke nënvizuar se çdo rast duhet të trajtohet me saktësi.

“Çdo emër në këtë listë përfaqëson një jetë të humbur dhe një histori familjare që kërkon respekt dhe drejtësi”, u shpreh Kurti, duke shtuar se e vërteta duhet të mbrohet përmes institucioneve, dokumentimit dhe verifikimit të qëndrueshëm.

Në takim morën pjesë edhe ministrja në detyrë e Kulturës, Saranda Bogujevci, ministri në detyrë Andin Hoti, drejtori i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, si dhe përfaqësues të institucioneve, akademisë dhe shoqërisë civile.

Sipas organizatorëve, ky proces synon të sigurojë një evidencë sa më të saktë dhe të plotë të viktimave të luftës, ndërsa mbetet një hap i rëndësishëm në ruajtjen e kujtesës institucionale dhe avancimin e përpjekjeve për drejtësi ndaj viktimave dhe familjeve të tyre./A.K/

Exit mobile version