Në kuadër të projektit “Prishtina në histori”, Varg dhe Trembelat do të prezantojnë botimin e letrave të diplomatit francez Anton Vas, i cili në vitin 1812, gjatë periudhës së Napolonit dhe luftës me Rusinë, u caktua të ngrinte një nënkonsullat francez në Prishtinë.
Promovimi do të mbahet më 31 tetor 2025, në ora 11:00, në ambientet e Institut Français në Pejton.
Dokumentet, të siguruara nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, pasqyrojnë përvojën e Vasit në një qytet kyç tregtar dhe diplomatik.
Misioni i tij ishte mbrojtja e tregtarëve francezë dhe forcimi i pranisë tregtare të Francës në rajon, përballë rivaliteteve ndërkombëtare dhe sfidave lokale.
Korrespondenca dokumenton marrëdhëniet e Vasit me autoritetet lokale, përfshirë Maliq Pashë Gjinollin dhe nipin e tij Jashar Pashë, si dhe sfidat që përballonte një diplomat francez në Prishtinën e fillimit të shekullit XIX.
Në redaktimin e studiuesit Yll Rugova, letra sjellin jo vetëm ngjarjet historike, por edhe atmosferën dhe përvojën personale të autorit.
Botimi u realizua pas transkriptimit, përkthimit dhe redaktimit të kujdesshëm të materialeve mikrofilmike, me mbështetjen e Komunës së Prishtinës, Ambasadës së Francës në Kosovë dhe specialistëve të arkivave.
Ky libër ofron një pasqyrë të veçantë mbi lidhjet historike midis Francës dhe Kosovës, duke nxjerrë në pah rëndësinë e Prishtinës si qendër tregtare dhe diplomatike në fillim të shekullit XIX. /A.Z/UBT News/