UBT News

Presidentja Shiroka-Pula dhe komandanti Jashari urojnë pjesëtarët e FSK-së për Ditën e Forcës

Me rastin e “Ditës së Forcës”, presidentja e Republikës së Kosovës dhe Komandantja Supreme, Justina Shiroka-Pula, ka shprehur krenari dhe mirënjohje për të gjithë burrat dhe gratë në uniformën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke vlerësuar shërbimin e tyre në mbrojtje të lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
Në mesazhin e saj të urimit, Shiroka-Pula ka theksuar se FSK-ja mishëron aspiratën e brezave për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të sigurt, ndërsa riafirmoi përkushtimin e saj për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të ushtrisë.
“E ndërtuar mbi sakrificën e popullit tonë dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ajo dëshmon vendosmërinë tonë për ta mbrojtur lirinë dhe shtetësinë e fituar me sakrificë. Si Presidente e Republikës dhe Komandante Supreme, mbetem e palëkundur në përkushtimin tim për forcimin e ushtrisë sonë, avancimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse dhe mbështetjen e pjesëtarëve të saj”, thuhet në urimin e presidentes.
Ajo shtoi se krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë strategjikë, Kosova do të vazhdojë ndërtimin e një force moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve të NATO-s. Në urimin e saj, presidentja nderoi po ashtu Komandantin Legjendar Adem Jashari, familjen Jashari dhe të gjithë dëshmorët e kombit, duke theksuar se mbrojtja e lirisë së trashëguar është detyrë dhe mision i përbashkët.
Urimet për Ditën e Forcës i ka përcjellë edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, i cili ka falënderuar personelin ushtarak dhe civil për përkushtimin dhe punën e palodhshme në avancimin e ushtrisë.
“Të nderuar ushtarë, nënoficerë, oficerë, kadetë dhe shërbyes civil të Forcës së Sigurisë së Kosovës, falë përkushtimit dhe punës suaj të palodhshme, sot jemi më të përgatitur se kurrë, duke u radhitur krah për krah me partnerët tanë në mbrojtje të paqes dhe sigurisë kudo në botë. Në këtë ditë të veçantë, le të reflektojmë së bashku në të kaluarën tonë dhe të nderojmë sakrificat e të gjithë atyre brezave të cilët janë meritorët më të mëdhenj të lirisë të cilën e gëzojmë sot”, ka shkruar gjenerallejtënant Jashari. /E.A/

Exit mobile version