Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe është takuar me Presidentin e Emirateve, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan.

Osmani ka falënderuar Presidentin e Emirateve për lidershipin dhe mbështetjen e treguar për gjithë rrugëtimin e shtetësisë së Kosovës.
“E nderuar me mikpritjen dhe diskutimet gjithnjë përmbajtjesorë me Presidentin e Emirateve, Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, të cilin e falënderova për lidershipin e tij vizionar dhe për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, që nga ditët më të vështira e deri më sot”, njofton Zyra e Presidencës së Kosovës.
Ndër të tjera, Presidentja Osmani vlerësoi lartë partneritetit ndërmjet dy vendeve, duke përmendur bashkëpunimin në shumë fusha që kanë ndikuar në zhvillimin e Kosovës.
“Në veçanti, shpreha mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Emirateve në fushën e shëndetësisë, si dhe për vijimin me projektin e rëndësishëm të ndërtimit të spitalit të ri të gjinekologjisë, i mbështetur në dakordimin tonë të mëhershëm”, njofton Zyra e Presidencës së Kosovës.
Në këtë takim Osmani shprehet se ka marrë mbështetjen e Presidentit për projektet e reja në fushën e shëndetësisë dhe në fusha të tjera zhvillimore.
