UBT News

Osmani pret në takim Kryeministrin Edi Rama, diskutohet bashkëpunimi Kosovë–Shqipëri

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ku u fokusuan mbi zhvillimet rajonale dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Sipas Presidentes Osmani, një nga temat kryesore të diskutimit ishte “koordinimi i ngushtë politik dhe institucional, si dhe përkushtimi i ndërsjellë për intensifikimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, në funksion të avancimit të interesave të përbashkëta strategjike”.

Liderët nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm Kosovë–Shqipëri si një faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon, si dhe rolin konstruktiv të dy shteteve në iniciativa ndërkombëtare që promovojnë paqen dhe dialogun.

Diskutimet përfshinë gjithashtu bashkëpunimin në kuadër të Bordit të Paqes dhe angazhimin e përbashkët në iniciativa globale që mbështesin sigurinë dhe vlerat demokratike.

Në takim u riafirmua gjithashtu vullneti për thellimin e partneritetit ekonomik dhe realizimin e projekteve të përbashkëta që sjellin përfitime direkte për qytetarët e të dy vendeve. Presidentja Osmani përgëzoi Kryeministrin Rama për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke e konsideruar këtë një përparim që forcon perspektivën evropiane të gjithë rajonit.

Në përmbyllje, Kryeministri Rama e uroi Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë, duke rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për shtetin e Kosovës dhe të ardhmen e saj euroatlantike.

Sipas programit zyrtar, në ora 15:00, Kryeministri Rama do të zhvillojë edhe një takim me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Exit mobile version