Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje partive politike në Kosovë që të arrijnë një marrëveshje dhe t’i themelojnë institucionet. Në një intervistë për televizionin polak “TVP World”, ajo tha se partitë politike duhet t’i lënë dallimet anash dhe ta vendosin interesin e vendit para.
“E shfrytëzoj rastin që t’u bëjë thirrje sërish të gjitha partive politike që ta vendosin interesin e vendit para, e t’i lënë anash dallimet. Të tentojnë të formojnë një koalicion të shumicës parlamentare e cila e dërgon Kosovën para”, tha presidentja Osmani.
Osmani tha se shkaku i kësaj bllokade politike, po humben projekte të Bashkimit Evropian, po humben dritare të mundësive me administratën e re të SHBA-së, për të cilat është punuar.
“Shumica e marrëveshjeve duhet të shkojnë në Kuvend për t’u ratifikuar e në Qeveri për zbatim. Njerëzit e Kosovës duhet të kenë një qeveri efikase me fuqi të plotë”, theksoi ajo.
Ajo shtoi se Kosova nuk e ka luksin të qëndrojë aq gjatë pa institucione.
“Do të ketë shumë që thonë Belgjika ka dy vjet pa qeveria, Austria ka 6 muaj. E kuptoj, por ne nuk e kemi luksin me prit aq gjatë. Ne duhet vërtetë të ecim para me reforma, me anëtarësim në organizata”, tha Osmani.
Ajo ka shtuar se nuk beson se ka ndikim nga jashtë në partitë e mëdha politike në Kosovë, në mënyrën se si reagojnë.