Presidenti letonez, Egils Levits rezultoi ”pozitiv” në testin e koronavirusit, njoftoi zyra e tij.
Rezultati ”pozitiv” doli nga një test i shpejtë i kryer nga Levits të mërkurën në mbrëmje kur u kthye nga një vizitë pune në Suedi.
Levits shtyu takimin e tij të planifikuar me presidentin e ri estonez Alar Karis, i cili është në Riga për vizitën e tij përuruese në shtetin fqinj baltik.
Karis tashmë do të takohet me kryetaren e parlamentit letonez Inara Murniece.
Në shkurt, Levits, 66-vjeç, ishte një nga njerëzit e parë në Letoni që u vaksinua kundër koronavirusit, duke marrë vaksinën para kamerës për të inkurajuar 1,9 milionë bashkatdhetarët e tij të bënin të njëjtën gjë.
Pavarësisht përpjekjeve të tij, fushata e vaksinimit të Letonisë po përparon shumë ngadalë dhe shkalla e infeksionit është rritur ndjeshëm javët e fundit, duke detyruar qeverinë të shpallë një gjendje të jashtëzakonshme e cila do të mbetet në fuqi deri më 11 janar./atsh