Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka zbehur rreziqet që kanosen nga inteligjenca artificiale (AI), pas disa ditësh paralajmërimesh drastike nga ekspertët e fushës.
“Keni shumë forcave tepër negative që po e ngrenë këtë çështje pa pasur nevojë dhe po përmendin gjëra që nuk do të ndodhin kurrë,” deklaroi Trump gjatë një vizite në Irlandë.
Një nga paralajmërimet erdhi nga një ish-kërkues i kompanisë Anthropic, i cili tha se “ka një mundësi të madhe që të gjithë të vdesim në një të ardhme të afërt” nëse ritmi i tanishëm i zhvillimit vazhdon.
Të shtunën, krerët kryesorë të industrisë u dëgjuan duke bërë thirrje për një ngadalësim të zhvillimit. Trump nuk iu përgjigj drejtpërdrejt kësaj ideje, por u shpreh: “Ne jemi përpara Kinës në inteligjencën artificiale… dhe, sinqerisht, dua ta mbaj kështu, sepse kushdo që fiton garën e AI, fiton gjithçka”.
Trump foli në të njëjtën ditë kur kërkuesi i AI, Jacob Coxon i cili u largua nga Anthropic disa ditë më parë tha për BBC-në se stafi që po zhvillon këto sisteme është “vërtet i frikësuar” për të ardhmen e njerëzimit.
Coxon i cili ka punuar gjithashtu në OpenAI, mirëpriti idenë e një ngadalësimi, por theksoi se ai duhet të koordinohet edhe me Kinën.
Të shtunën, Elon Musk, pronar i xAI, dhe Sam Altman nga OpenAI, mbështetën paralajmërimin e kreut të Anthropic, Dario Amodei, se ritmi i zhvillimit duhet të ngadalësohet “për të reduktuar rrezikun që diçka të shkojë seriozisht keq”.
Udhëheqësi i Anthropic tha se çdo ngadalësim do të duhej të jetë i kufizuar për të parandaluar Kinën që të marrë epërsinë.
Shtohen pikëpyetjet se si do të dukej një “ngadalësim” i AI-së
Çështjet që rrethojnë inteligjencën artificiale kanë nxitur debata të ashpra — dhe përfaqësojnë një dilemë për shumë udhëheqës botërorë.
Nga njëra anë, ky sektor shihet si një mundësi e jashtëzakonshme për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të përmirësuar sistemet dixhitale e metodat e vjetruara të punës.
Nga ana tjetër, kanë ndodhur edhe disa incidente ku inteligjenca artificiale duket se ka shkuar seriozisht keq.
Në gusht, OpenAI njoftoi se kishte ngadalësuar trajnimin e disave prej modeleve të saj më të avancuara të AI-së për të përmirësuar sigurinë.
Krijuesi i ChatGPT tha se po shton masa të reja pasi agjentët e saj të AI-së anashkaluan mbrojtjet e sigurisë dhe sulmuan kibernetikisht kompaninë teknologjike Hugging Face.
Po në të njëjtin muaj, u bë e ditur se dy nga mjetet më të fuqishme të AI-së në botë krijuan profile të rreme njerëzore për të mashtruar njerëzit gjatë disa tentativave për sulme kibernetike.
Instituti i Sigurisë së AI-së në Britaninë e Madhe (AISI) tha se në rastin më serioz, modeli Mythos AI i kompanisë Anthropic u përpoq të merrte qasje në një shërbim duke dërguar mesazhe private përmes llogarive të rreme që imitonin njerëz të vërtetë dhe më pas fshiu provat.
/BBC/
