Presidenti i Serie A, Lorenzo Casini, nuk dëshiron të dëgjojë për një shtyrje të mundshme të ditës së parë të sezonit 2022/23.
Vapa e madhe që po mbizotëron ka bërë që të ketë spekulime për një shtyrje të kampionatit italian, por sipas Casinit kjo gjë nuk është problem dhe Serie A do të fillojë në ditën që është paraparë.
“Rrezik shtyrjeje për kampionatin për shkak të vapës? Jo, Seria A do të nisë më 13 gusht, kështu ka qenë gjithmonë”, tha Casini.
Ajo që ka pësuar ndryshime është mënyra se si do të dhurohet titulli në rast të një përfundimi të barabartë me pikë.
Rivendosja e play-off-it u miratua zyrtarisht pak më shumë se një muaj më parë, ku Casini ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të këtij ndryshimi pasi mendon se është mënyra e duhur për të përcaktuar renditjen përfundimtare, në rast se skuadrat përfundojnë në pikë të barabarta.
“Futbolli italian është bërë nga tradita, më shumë se një risi është një rikthim. Vitet e fundit kjo gjë është zhdukur, por kampionati i vitit të kaluar na bëri të mendojmë se në rast barazimi, play off-i është mënyra më e drejtë për të fituar titullin“, tha Casini.