UBT News

Presidenti i La Ligas i shpall luftë FIFA-s për Botërorin e Klubeve

Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, ka shprehur sërish kundërshtimin e hapur ndaj Kupës së Botës për Klube, duke deklaruar se do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e tij për të ndaluar zhvillimin e turneut në të ardhmen.

“Do të bëj gjithçka që është në fuqinë time për t’u siguruar që Kupa e Botës për Klube nuk do të zhvillohet më kurrë”, u shpreh Tebas gjatë një konference për shtyp të mbajtur të martën (1 korrik).

Kjo nuk është hera e parë që kreu i La Ligës shprehet kundër këtij formati të ri. Që kur FIFA shpalli projektin për një turne me 32 ekipe që do të mbahet çdo katër vjet, Tebas ka qenë një ndër kritikët më të zëshëm.

Sipas FIFA-s, edicioni i parë i Kupës së re të Botës për Klube do të organizohet më 2029, mbi 3 miliardë dollarë janë alokuar për realizim. Çdo klub pjesëmarrës pritet të përfitojë minimalisht 15 milionë dollarë, shifër kjo që ka tërhequr mbështetjen e shumë klubeve elitare në botë.

Në edicionin e parë, La Liga përfaqësohet nga dy skuadrat kryesore të Spanjës: Real Madrid dhe Atletico Madrid. Të dyja skuadrat kanë pranuar të heqin dorë nga pushimet verore për të qenë pjesë e turneut.

Pavarësisht entuziazmit të FIFA-s dhe mbështetjes nga klubet, Tebas nuk ka ndërmend të tërhiqet. Ai synon që përmes mjeteve ligjore e presionit të bllokojë këtë iniciativë, të cilën e sheh si kërcënim për kalendarin dhe ekuilibrin e garave kombëtare.

Tani mbetet për t’u parë nëse përplasja mes La Ligës e FIFA-s do thellohet, apo nëse palët gjejnë një kompromis për të ardhmen e futbollit ndërkombëtar.

Exit mobile version