Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Federatës së Karatesë së Kosovës (FKK).
Dorëheqjen, Krasniqi, ia ka paraqitur Bordit Ekzekutiv të FKK-së, në mbledhjen e fundit.
Arsyeja e dorëheqjes ka të bëjë me angazhimin e tij si president i KOK-ut.
“Për shkak të angazhimeve të shumta si president i KOK-ut, dhe pamundësisë për të dhënë maksimumin edhe në karate, kam dashur që t’i hapë rrugën të tjerëve për të udhëhequr me karatenë dhe vazhduar punën aty ku unë e kam lënë. Falënderoj Bordin Ekzekutiv të FKK-së, sekretarin e përgjithshëm, Nazmi Gashi, karateistët, trajnerët, gjyqtarët dhe gjithë komunitetin e karatesë për përkrahjen dhe bashkëpunimin që kishim”, ka thënë Krasniqi me rastin e dorëheqjes së tij.
Presidenti i KOK-ut ishte kryetar i FKK-së, prej vitit 2016.