UBT News

Presidenti i FFK-së për shortin e Kosovës: Jam optimist se do të zëmë pozitën e parë në grup

Në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës, Kombëtarja e Kosovës sot mësoi kundërshtarët në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve.

Kosova përsëri do të jetë në grup me Greqinë, pasi që janë pozicionuar së bashku në Grupin 2 të Ligës C.

Së bashku me Kosovën dhe Greqinë, në këtë grup renditen edhe kombëtaret e tjera si ajo e Irlandës së Veriut dhe fituesi i ndeshjes mes Qipros dhe Estonisë.

Në lidhje me shortin ka reaguar presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi, i cili e cilësoi këtë short si pozitiv dhe me mundësi për të treguar cilësitë tona në Ligën C.

“Mund të them se ishte një short jo i lehtë për ne, pasi kemi të bëjmë me ekipe që gëzojnë respekt në futbollin evropian. Sidoqoftë, ndoshta është mirë që shmangëm disa prej kombëtareve të papërshtatshme. Grupi është goxha i nivelizuar, pa marrë parasysh se nga cilat vazo vijnë kundërshtarët”, tha Ademi.

“Greqinë e njohim tashmë shumë mirë, ngase kemi katër ndeshje kundër tyre, derisa me ekipet tjera do të përballemi për herë të parë. Unë kam besim në djemtë tanë dardanë dhe besoj në forcën e ekipit. Me ndihmën e tifozëve jam optimist se Kosova në fund të këtij edicioni të Ligës së Kombeve do të jetë e para në Grupin 2 të Ligës C”, shtoi presidenti i FFK-së.

Ndeshjet e këtij edicioni në Ligën e Kombeve do të zhvillohen në qershor dhe shtator të vitit të ardhshëm.

Exit mobile version