Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier ka rikujtuar rëndësinë e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë. Ai i ka dërguar të mërkurën një letër urimi Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, lidhur me përvjetorin e 14-të të Pavarësisë së Kosovës.
Në këtë letër ai ka thënë se “Gjermania mbështet fuqishëm perspektivën e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian”.
“Një rëndësi të madhe merr realizimi me vendosmëri i agjendës së rëndësishme të reformave të qeverisë suaj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky do të jetë një faktor qendror në krijimin e perspektivave për të rinjtë në Kosovë, forcimin e ekonomisë, investimet e reja si dhe hapjen e vendeve të punës”, tha Presidenti i Gjermanisë.
Tutje ai ka thënë se dialogu me Serbinë “mbetet me gjasë sfida më e madhe e politikës së jashtme për Kosovën”.
Urimin e Steinmeier e ka bërë publik Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duke e falënderuar Gjermaninë për përkrahje ndaj Kosovës.
“Kosova është me fat që përgjatë rrugëtimit të saj sfidues ka pranë shtete si Gjermania dhe miq si Presidenti Steinmeier”, shkroi Osmani në Facebook.
Edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden në një letër dërguar Osmanit më 15 shkurt tha se Uashingtoni vazhdon të mbështesë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, që sipas tij, duhet të përfundojë me njohje reciproke.
“Jemi të kënaqur që Kosova po vazhdon të ndërtojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj pozitive me vendet fqinje dhe do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet tuaja drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, të përqendruar në njohje reciproke”, tha Biden në letrën dërguar Osmanit./REL