Presidenti i Argjentinës postoi rreth tokenin digjital të quajtur $LIBRA pak para se të bie në treg. Avokatët në Argjentinë kanë ngritur një rast mashtrimi kundër presidentit Javier Milei për promovimin e një kriptomonedhe, vlera e së cilës ra shpejt. Udhëheqësi libertarian shkroi për një monedhë digjitale të quajtur $LIBRA në një postim në X të premten.
Kriptomonedha pati për qëllim “inkurajimin e rritjes ekonomike duke financuar bizneset e vogla e startup-et”, tha ai, para se të fshinte postimin në mediat sociale disa orë më vonë. Mesazhi përfshinte një lidhje me një faqe interneti ku mund të merreshin monedhat digjitale.
Emri i domenit, vivalalibertadproject.com, është një referencë për një frazë të njohur që Milei përdor në fund të fjalimeve të tij, e cila përkthehet si “rroftë liria”. Menjëherë pas postimit të Milei në X, vlera e $LIBRA, e cila u zhvillua nga KIP Protocol, ra, duke shkaktuar miliona dollarë humbje për investitorët, sipas ueb-faqes financiare Dexscreener.
Jonatan Baldiviezo, një nga avokatët që ngriti akuza kundër Mileit të dielën, pretendoi se ishte kryer “një numër i papërcaktuar mashtrimesh”. Baldiviezo dhe kolegët e tij besojnë se mund të ketë pasur një “tërheqje qilimi”, një term i përdorur për të përshkruar një mashtrim kur zhvilluesit krijojnë një kripto token, tërheqin investitorët dhe më pas zhduken shpejt me të ardhurat.
“Brenda kësaj shoqërie të paligjshme, u krye krimi i mashtrimit, në të cilin veprimet e presidentit ishin thelbësore”, pohoi Baldiviezo, i cili gjithashtu akuzoi Milein për shkelje të ligjit të etikës publike.
Milei u dënua ashpër nga kundërshtarët politikë, me ish-presidenten Cristina Kirchner që sugjeroi se kishte vepruar si “grep” për një “mashtrim digjital”. Esteban Paulón, një politikan i Partisë Socialiste, premtoi të nisë procedurat e shkarkimit të Mileit për incidentin.
“Vetëm për të qenë i qartë. Të hënën do të paraqesim kërkesën për shkarkimin e presidentit. Ajo që ka ndodhur është shumë e rëndë”, ka shkruar ai në rrjetet sociale. Milei ka thënë se rivalët e tij politikë po përpiqen të përfitojnë nga episodi.
“S’isha në dijeni të detajeve të projektit, pasi u informova, vendosa të mos vazhdoj ta promovoj (kjo është arsyeja pse e fshiva”, tha ai.
Në një deklaratë të shtunën, Zyra e Presidentit tha se Zyra Kundër Korrupsionit e Argjentinës do të hetonte këtë çështje.