Presidenca e Kosovës përmes një reagimi për media ka hedhur poshtë pohimet se Vjosa Osmani të ketë kërkuar ndërtim të rezidencës presidenciale duke thënë se plani ideor i shpallur për ndërtimin e objektit presidencial nuk e ka marrë aprovimin e presidentes.
Brenda suazave ligjore presidentja do të kërkojë që ai të rishikohet në mënyrë që t’i përshtatet specifikave dhe nevojave reale të Republikës së Kosovës.
“Presidentja e vendit asnjëherë nuk ka kërkuar ndërtim të ndonjë rezidence presidenciale, as me oborr privat, as me dhoma private, e as ndonjë luks tjetër personal, thuhet në reagim”, thuhet në reagim.
Presidenca sqaron se presidentja Osmani ka kërkuar që të procedohet vetëm me ndërtesën zyrtare të Presidencës, e cila do të përdoret për zhvillimin e takimeve dhe pritjeve shtetërore, pasi Kosova është vendi i vetëm në Evropë, në mos edhe në botë ku kreu i shtetit nuk ka një objekt të posaçëm për realizimin e funksionit të tij/saj zyrtar.
“Aktualisht, pritjet mbahen në salla të Kuvendit, ndërsa liderët e shteteve mike detyrohen të përballen me erën e kanalizimeve për shkak të kushteve të papërshtatshme në katin ku ndodhet zyra aktuale. Nuk ka as hapësirë për organizimin e pritjeve shtetërore (ato zhvillohen në hotele), as hapësira për akomodimin e mysafirëve të lartë, dhe as ambient për darka apo dreka zyrtare të nivelit të lartë, të cilat Kosova i organizon në restorante private një praktikë krejtësisht e pazakontë për çdo shtet serioz. Është e turpshme që edhe 26 vite pas çlirimit, kjo çështje themelore nuk është zgjidhur”, thuhet tutje në reagim.
Në fund, presidentja ka kërkuar urgjentisht të gjenden mundësitë ligjore për të ndryshuar specifikat aktuale, të cilat nuk paraqesin aspak idenë e saj për një objekt zyrtar presidencial.