UBT News

Premtimi i Gjimshitit: Do të shihni një Shqipëri më të bukur

Pas fitores bindëse 3-0 ndaj Andorrës, kapiteni i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, ka folur për mediat duke përgëzuar shokët e skuadrës për performancën dhe duke premtuar se skuadra do të përmirësohet akoma më shumë në ndeshjet e ardhshme.

Në një intervistë pas ndeshjes, Gjimshiti e cilësoi fitoren si një përgjigje të duhur, jo vetëm për tifozët, por edhe për vetë lojtarët pas humbjes me Anglinë. Ai theksoi rëndësinë e rikuperimit dhe të kthimit te fitorja, duke pohuar se goli i Manajt ishte çelësi për ta fituar këtë ndeshje.

“U futëm në fushë për të fituar, dhe arritëm ta realizonim këtë. Goli i Manajt ishte kyç, ai na dha besim që ta mbyllnim ndeshjen me rezultat pozitiv. Ishim të lodhur pas një ndeshjeje shumë të vështirë me Anglinë, por çunat dhanë gjithçka në fushë dhe kjo fitore është shumë e rëndësishme”, u shpreh kapiteni i kuqezinjve.

Ai e pranoi që ka ende hapësirë për përmirësim, por e cilësoi si pozitiv faktin që skuadra është në rrugën e duhur. Gjimshiti shprehu besimin se me kalimin e kohës, Shqipëria do të shfaqë një imazh më të bukur dhe të fortë. “Do të përmirësohemi akoma dhe më shumë me kalimin e kohës dhe do të shikojmë një Shqipëri të bukur”, shtoi ai.

Megjithatë, ai theksoi se e rëndësishme ishte marrja e tri pikëve dhe fokusi i skuadrës do të mbetet te fitorja e ndeshjeve të ardhshme për të siguruar kualifikimin në fazat e ardhshme të kompeticioneve ndërkombëtare./UBTNews/

Exit mobile version