UBT News

Premiera e dokumentarit për Joe Dio Guardin dhe impakti i tij në historinë e Kosovës

Mbrëmja e 13 prillit 2024 ishte një datë e rëndësishme për Diasporën Shqiptaro-Amerikane. Në ambiente të Fordham Preparatory School, në sallën e Leonard Theatre, u organizua një ngjarje e veçantë për premierën e një filmi dokumentar të quajtur “Shpëtimtari i Kosovës, Joe Dio Guardi”.

Filmi është prodhuar nga aktori i njohur shqiptaro-amerikan Hysen Zeqaj, është një portret i jetës dhe veprimtarisë së Joe Dio Guardit, një politikan i lartë amerikan me prejardhje arbëreshe. Në këtë dokumentar, Zeqaj ka dhënë një përshkrim të detajuar të angazhimit të Dio Guardit në ndihmë të Kosovës gjatë periudhës së konfliktit, shkruan Qemal Zylo për Gazeta Dielli.

Historia e vërtetë e përpjekjeve të tij, mundit dhe sakrificave për të sensibilizuar politikanët amerikanë dhe opinionin publik për situatën e rëndë në Kosovë është paraqitur në një mënyrë që prek zemrat. Duke filluar nga angazhimi i tij në Kongresin Amerikan deri te krijimi i organizatës shqiptaro-amerikane “Liga Qytetare Amerikane” (AACL), Dio Guardi u bë një zë i fortë për të drejtat e shqiptarëve në Ballkan. Fotot dhe pamjet filmike të shfaqura në dokumentar janë një dëshmi e mjeshtërisë së prodhimit, dhe lidhjet e Dio Guardit me politikanët më të lartë të Amerikës tregojnë për ndikimin e tij të madh në sensibilizimin e opinionit dhe mobilizimin e shqiptarëve për të drejtat e tyre.

Dokumentari u shqua nga fakte historike dhe ngjarje të padiskutueshme që shënuan përpjekjet dhe angazhimin e Joe Dio Guardit për të sensibilizuar botën për situatën e Kosovës nën regjimin e Millosheviçit. Duke filluar nga aktivitetet e tij në Kongresin Amerikan, deri te udhëtimet në Kosovë pas bombardimeve të NATO-s, Dio Guardi u shndërrua në një zë të fuqishëm për të drejtat e shqiptarëve në Ballkan.

Pjesëmarrësit në premierën e filmit përshëndetën përpjekjet e Dio Guardit dhe vlerësuan kontributin e tij në ndërgjegjësimin e opinionit publik për ngjarjet në Kosovë. Përfaqësues të shoqatave dhe medias shqiptaro-amerikane, si dhe personalitete të njohura të diasporës, morën pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme për të ndarë një moment reflektimi dhe mirënjohje për figurën e jashtëzakonshme të Joe Dio Guardit.

Pjesëmarrësit e mbrëmjes u falënderuan reciprokisht për bashkërendimin dhe mbështetjen e tyre në këtë ngjarje të rëndësishme. Figurat e rëndësishme të diasporës, përfshirë ambasadorin e Kosovës në NY, deputetët shqiptarë në parlamentin e Serbisë dhe të Kosovës, si dhe personalitete të shoqatave dhe biznesmenët e suksesshëm, i shprehën respektin e tyre DioGuardit dhe bashkëpunimit të tyre për të avancuar çështjet e rëndësishme për komunitetin shqiptaro-amerikan. Në të njëjtën mënyrë, prezantimi i personaliteteve të ndritura të diasporës në këtë mbrëmje u bë një shprehje e fortë e solidaritetit dhe unitetit të komunitetit shqiptaro-amerikan. Për të parë filmin morën pjesë personalitete si Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Nju Jork, Ambasadori Blerim Reka, Shaip Kamberi, deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Kryeatri i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi,  Ardita Sinani, këshilltare në qeverinë e Republikës së Kosovës dhe personalitete tjera.

Përmes misioneve të shumta në rajonin e Ballkanit, DioGuardi dhe e shoqja e tij Shirley Cloyes DioGuardi monitoruan dhe raportuan për kushtet sociale, ekonomike dhe politike në Kosovë dhe rajonin për Kongresin Amerikan. Pjesëmarrja e tyre aktive në fushatën e bombardimeve të NATO-s në Kosovë dhe angazhimi i tyre në drejtim të çështjeve të shqiptarëve në gjyqin e Hagës ndaj Millosheviçit i bën ata figura të rëndësishme për popullin shqiptar, shkruan Gazeta Dielli.

Përmbledhi: Dionesa Ebibi

Exit mobile version