UBT News

Premiera e “Bukuria e gomarit” në Festivalin e Filmit në Cyrih

Filmi dokumentar-artistik “Bukuria e gomarit”, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, ka pasur premierën e tij në Festivalin prestigjioz të Filmit në Cyrih.

Ky produksion sjell një reflektim të ndjerë mbi brishtësinë e kujtesës, duke ndërthurur elementin dokumentar me një gjuhë vizuale që ngjan me përrallën.

Filmi mban firmën e regjisores dhe skenaristes Dea Gjinovci, ndërsa producent është Ilir Hasanaj. Në rolet kryesore paraqiten Asllan Gjinovci dhe Leart Gjinovci, të shoqëruar nga aktorë të tjerë nga Makermali dhe Skenderaj.

Në ekipin krijues veçohen emra të njohur si Samir Karahoda dhe Samir Ljuma në kinematografi, Valmira Hyseni në produksion, si dhe një grup i gjerë profesionistësh nga Kosova, Zvicra, Franca dhe SHBA. Muzikën origjinale e ka realizuar Gael Kyriakidis me vokale arbëreshe, ndërsa për ngjyrat është kujdesur Raphaël Dubach.

Filmi është bashkë-produksion i Astrae Productions, Unseen Films, Haut et Court Doc, Facet (US) dhe RTS, me mbështetje nga institucione të rëndësishme si Suissimage, Sundance Documentary Fund, Cineforom, Qendra Kinematografike e Kosovës, si dhe nga komuna të ndryshme në Kosovë e Zvicër.

Përndryshe, premiera në Cyrih u prit me interes të madh, duke shënuar një hap të rëndësishëm për prezencën e kinematografisë kosovare në arenën ndërkombëtare. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version