Liga më atraktive e futbollit në botë, respektivisht Premier Liga angleze, do të vazhdojë sot me disa ndeshje tejet interesante.
Tri ndeshje të programit të sotëm do të zhvillohen me fillim nga ora 20:45, ku spikat derbi londinez mes kampionit aktual evropian, Chelseat, dhe skuadrës së Arsenalit.
Krahas takimit mes Chelseat e Arsenalit do të zhvillohet edhe ndeshja tjetër interesante mes skuadrës së Evertonit, e cila po lufton për mbijetesë, dhe skuadrës së Leicester Cityt.
Ndërkaq, ndeshja e cila do ta mbyll programin e sotëm do të fillojë nga ora 21:00, ku kampioni aktual anglez Manchester City do të synojë me çdo kusht fitoren kundër Brightonit, për t’ia rrëmbyer kreun e tabelës Liverpoolit.
Momentalisht, tabelën e kryeson Liverpooli me 76 pikë, dy sosh më shumë se Manchester City në vendin e dytë, kurse Top 4 e mbyllin Chelsea me 62 pikë dhe Tottenhami me 57 sosh.
Në anën tjetër, Burnley me 25 pikë, Watfordi me 22 sosh dhe Norwichi me 20 pikë janë tri skuadrat që gjenden në zonën e rrezikut në tabelë.
Programin e plotë të ndeshjeve të sotme në Premier Ligën angleze e gjeni më poshtë:
20:45 Chelsea – Arsenal (Stadiumi Stamford Bridge)
20:45 Everton – Leicester City (Stadiumi Goodison Park)
20:45 Newcastle United – Crystal Palace (Stadiumi St. James Park)
21:00 Manchester City – Brighton (Stadiumi Etihad)