UBT News

Premier League nis një epokë të re,rekord me nëntë trajnerë të rinj në edicionin 2026/27

Edicioni 2026/2027 i Premier Leagues ende nuk ka filluar, por tashmë ka hyrë në histori. Sipas BBC-së, nëntë klube do ta nisin sezonin me trajner të ri, numri më i madh i ndryshimeve në stolin e skuadrave në javën e parë të kampionatit elitar anglez.

Nga Liverpooli dhe Manchester City, te Chelsea dhe Newcastle United, ndryshimet kanë prekur pothuajse gjysmën e ligës, duke sjellë një pamje krejtësisht të re të skenës së trajnerëve në Premier League.

Nëntë klube, nëntë emra të rinj

Shkalla e ndryshimeve është e jashtëzakonshme. Liverpooli i ka besuar Andoni Iraolas pas largimit të Arne Slot, ndërsa Manchester City ka zgjedhur Enzo Marescën pas dorëheqjes së Pep Guardiolas, trajnerit që solli shumë trofe në “Etihad”.

Chelsea ka emëruar Xabi Alonson pas largimit të Liam Rosenior, ndërsa Bournemouthi ka zgjedhur Marco Rosen si pasues të Iraolas. Nottingham Foresti ka emëruar Oliver Glasnerin pas shkarkimit të Vitor Pereiras.

Crystal Palace i ka dhënë besimin Pierre Sages pas largimit të Glasnerit, Fulhami ka sjellë Alvaro Arbeloan në vend të Marco Silvas, ndërsa Ipswich Town ka emëruar Gary O’Neilin pas dorëheqjes së Kieran McKennas.

Ndryshimi i fundit erdhi te Newcastle United, ku Matthias Jaissle mori drejtimin pas largimit të Eddie Howes.

Kështu, nëntë skuadra do të hyjnë në sezonin e ri me trajner të ri të përhershëm. Rekordi i mëparshëm ishte në edicionin 2016/17, kur tetë klube nisën kampionatin me ndryshime në stol – një sezon që shënoi edhe ardhjen e Pep Guardiolas në Manchester City.

Fundi i një gjenerate

Edicioni i ri i Premier Leagues shënon gjithashtu fundin e një epoke. Për herë të parë që nga sezoni 1985/86, kampionati anglez do të nisë pa asnjërin prej emrave më të mëdhenj të trajningut: Alex Ferguson, Arsene Wenger, Jose Mourinho, Jurgen Klopp apo Pep Guardiola.

Këta trajnerë kanë fituar së bashku 26 nga 34 titujt e Premier Leagues dhe kanë përcaktuar historinë moderne të futbollit anglez.

Ferguson vendosi standardet me dominimin e Manchester Unitedit, Wenger ndryshoi mënyrën e përgatitjes së lojtarëve te Arsenali, Mourinho solli një qasje të re taktike, Klopp transformoi Liverpoolin me futbollin intensiv, ndërsa Guardiola krijoi një nga ekipet më dominuese në historinë e ligës.

Tashmë, Mikel Arteta i Arsenalit është trajneri me qëndrimin më të gjatë në Premier League, pasi mori drejtimin e klubit në dhjetor të vitit 2019.

A sjell ndryshimi sukses?

Ndërrimi i trajnerëve shpesh shoqërohet me të ashtuquajturin “efekti i trajnerit të ri” – një përmirësim i menjëhershëm që vjen nga motivimi i ri, ndryshimet taktike dhe energjia e re brenda skuadrës.

Megjithatë, historia tregon se ndryshimi nuk garanton sukses.

Edicioni i kaluar solli 11 ndryshime trajnerësh, por jo të gjitha skuadrat patën përmirësim. Disa klube vazhduan të përballeshin me probleme, ndërsa të tjera patën rezultate pozitive menjëherë pas ndryshimit.

Shembulli më i mirë ishte Michael Carrick, i cili pati një ndikim të menjëhershëm te Manchester Unitedi, duke siguruar një mesatare prej 2.6 pikësh për ndeshje në pesë xhirot e para.

Megjithatë, studimet tregojnë se cilësia e lojtarëve, investimet dhe struktura e klubit mbeten faktorë më të rëndësishëm për sukses sesa vetëm ndërrimi i trajnerit.

Që nga krijimi i Premier Leagues në vitin 1992, vetëm gjashtë trajnerë kanë arritur ta fitojnë titullin në sezonin e tyre të parë me klubin: Jose Mourinho, Carlo Ancelotti, Manuel Pellegrini, Claudio Ranieri, Antonio Conte dhe së fundmi Arne Slot me Liverpoolin në sezonin 2025/26.

Me kaq shumë ndryshime në stol, Premier League po përgatitet për një sezon të ri plot pikëpyetje. Nëse trajnerët e rinj do të sjellin sukses apo vetëm një tjetër valë ndryshimesh, do ta tregojë koha.

D.L

Exit mobile version