UBT News

Pranim-dorëzimi i raporteve për vrasjen e Arlinda Zekajt përplas anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar

Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt ka mbajtur mbledhjen e radhës në Kuvendin e Kosovës, e cila pas diskutimeve publike ka vijuar punimet prapa dyerve të mbyllura.

Kryesuesi i komisionit, Burim Ramadani, njoftoi se Zyra e Kryeministrit i ka dorëzuar zyrtarisht raportet e kërkuara nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme, duke hapur kështu rrugën për bashkëpunim institucional rreth përgjegjësive në këtë rast.

Mirëpo, dorëzimi i dokumenteve ka nxitur reagime të ashpra nga opozita. Anëtari i komisionit nga radhët e PDK-së, Eman Rrahmani, akuzoi ekzekutivin për pengim të hetimit dhe tentim të mbulimit të dështimeve të shtetit.

“Është situata që angazhimi edhe i Zyrës së Kryeministrit në vend që të duhet t’i ndihmojë këtij komisioni që të zbardhim gjithë dështimin e zinxhirit, po bëhet pengesë dhe manipulator i procesit… Unë e shoh se qasja e këtij grupi parlamentar, në përgjithësi, është për t’i mbuluar të metat dhe për të mos zbardhur dështimin e zinxhirit të shtetit për mbrojtjen jetën e një gruaje”, tha Rrahmani.

Nga ana e tij, kryetari Burim Ramadani është zotuar para mediave se procesi hetimor do të zhvillohet me transparencë të plotë dhe mbi bazën e fakteve zyrtare. /E.A/

Exit mobile version