UBT News

Pranë largimit nga Lazio, Muriqi pritet të transferohet në Belgjikë

Pas disa paraqitjeve tejet të mira në fanellën e Mallorcas, sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi është rikthyer tani te skuadra e Lazios.

Sezonin e kaluar, Muriqi iu bashkua Mallorcas në formë huazimi në muajin janar, pasi që nuk konsiderohej më në planet e trajnerit Maurizio Sarri.

Tani, Muriqi është rikthyer në Serie A, ndërsa nuk pritet që qëndrimi i tij të zgjasë shumë.

Siç raportohet nga gazetari i njohur, Gianluca DiMarzio, Vedat Muriqi tani ka kapur vëmendjen e gjigantit belg, Club Brugge, i cili thuhet se është i interesuar seriozisht në sulmuesin kosovar.

Marrëveshja mund të arrihet nëse të dy klubet kanë akord të plotë për shitje permanente të Muriqit, dhe jo transferim në formë huazimi.

Në sezonin e kaluar, Vedat Muriqi nuk gjeti hapësira të mëdha te Lazio, ku doli në fushë vetëm 15 herë, pa shënuar gola, duke grumbulluar mesatarisht vetëm 26 minuta për ndeshje.

Gjithashtu për këtë arsye ai u dërgua në formë huazimi te Mallorca në gjysmën e dytë të sezonit, ku tregoi paraqitje tejet të mira duke regjistruar pesë gola dhe tre asistime në 15 ndeshje në të gjitha garat.

Exit mobile version