UBT News

Praktika në fokus: Studentët e Inxhinierisë së Energjisë në UBT vizitojnë KEDS

Fakulteti i Inxhinierisë së Energjisë në UBT po vazhdon të ofrojë përvoja praktike për studentët përmes aktiviteteve të drejtpërdrejta me industrinë, duke i përgatitur ata për sfidat reale të tregut të punës. Në këtë kuadër, është realizuar një vizitë studimore në KEDS, me pjesëmarrjen e studentëve dhe profesorëve të fakultetit.

Kjo vizitë kishte për qëllim ndërlidhjen e njohurive teorike me praktikën, duke u mundësuar studentëve të njihen nga afër me funksionimin e sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike dhe rolin e teknologjisë në menaxhimin e tij.

Studentët u pritën nga zyrtari kryesor i operimeve në KEDS, prof. Dr. Avni Alidemaj, i cili prezantoi rëndësinë e Qendrës Dispeçerike si një nga komponentët kryesorë të operimit të rrjetit energjetik. Më pas, aktiviteti vijoi me prezantimin e inxhinieres Arta Grajçevci, e cila shpjegoi në mënyrë të detajuar funksionimin e sistemeve monitoruese SCADA dhe rolin e tyre në menaxhimin efikas të rrjetit të shpërndarjes.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen me procese reale operative, përfshirë monitorimin në kohë reale, koordinimin e ekipeve në terren dhe përdorimin e platformave digjitale për sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike. Përmes rasteve konkrete nga praktika, ata fituan një kuptim më të thellë mbi sfidat dhe përgjegjësitë e sektorit energjetik.

Aktivitete të tilla janë pjesë thelbësore e programit të studimit në UBT, i cili është i orientuar drejt praktikës dhe bashkëpunimit të ngushtë me industrinë. Përmes këtyre përvojave, studentët jo vetëm që përvetësojnë njohuri teknike, por zhvillojnë edhe aftësi profesionale që i bëjnë më konkurrues në tregun e punës.

Exit mobile version