UBT News

Profesori i UBT-së, Shpresim Vranovci, shpallet “Menaxheri i Vitit 2026” për Evropën Juglindore

Profesori Shpresim Vranovci, pjesë e stafit akademik të UBT-së dhe drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës (AMIK), është nderuar me çmimin prestigjioz ndërkombëtar “Menaxheri i Vitit 2026”.

Çmimi iu dorëzua gjatë ceremonisë së 47-të ndërkombëtare të mbajtur më 25 qershor në Sarajevë, nga ish-Presidenti i Republikës së Kroacisë, Stjepan Mesiq.

Ky manifestim tradicional, i organizuar nga Agjencia Evropiane e Pavarur, mbledh çdo vit drejtues të lartë institucionalë, kompanish, universitetesh dhe personalitete të jetës ekonomike e akademike nga mbarë Evropa Juglindore dhe Qendrore, duke vlerësuar rezultatet e jashtëzakonshme në lidership, inovacion dhe zhvillim ekonomik.

Ky vlerësim i lartë ndërkombëtar iu akordua profesorit Vranovci si mirënjohje për udhëheqjen e tij të suksesshme dhe kontributin e madh në zhvillimin e sektorit mikrofinanciar, avancimin e përfshirjes financiare dhe forcimin e bashkëpunimit institucional në Kosovë.

Me mbi 25 vjet përvojë të pasur në sektorin bankar dhe financiar, ai ka ndërtuar një karrierë të shquar duke ushtruar funksione të rëndësishme drejtuese, përfshirë edhe angazhimin si këshilltar i guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Nën drejtimin e tij aktual në AMIK, asociacioni ka konsoliduar pozicionin si zëri përfaqësues i këtij sektori, duke zgjeruar rrjetet e bashkëpunimit me institucionet vendore e ato evropiane dhe duke promovuar qasjen në financa si një faktor kyç për zhvillimin ekonomik të vendit, posaçërisht për ndërmarrjet e vogla dhe sipërmarrësit e rinj.

Paralelisht me këtë veprimtari të suksesshme profesionale, Prof. Shpresim Vranovci vazhdon të japë kontributin e tij si pjesë e stafit akademik të UBT-së, ku ligjëron në programet bachelor dhe master në fushën e financave, bankave dhe modelimit të biznesit.

Përmes gërshetimit të përvojës praktike nga industria reale me kërkimin shkencor, ai ndihmon drejtpërdrejt në përgatitjen profesionale të gjeneratave të reja në auditor. Ky sukses i ri ndërkombëtar vjen si një dëshmi e radhës për cilësinë e lartë të stafit akademik të UBT-së, institucion që mbetet i përkushtuar në afirmimin e ekspertizës së nivelit të lartë dhe në ndërlidhjen e arsimit me nevojat e tregut global. /E.A/

Foto: Rajoni press

Exit mobile version