Raportimi i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, para Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për punën e vitit 2025, është shoqëruar me tensione e debate me kryesuesin e këtij institucioni, Arian Gashi.
Përplasja nisi gjatë kohës kur anëtarët e Këshillit po i parashtronin pyetje Isufajt. Kryesuesi Arian Gashi ndërhyri duke i kërkuar kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale që vetëm t’u përgjigjet pyetjeve dhe të mos tentojë t’u bëjë pyetje apo të kërkojë llogari nga anëtarët e KPK-së.
Nga ana e tij, Isufaj — i cili ka mbajtur më parë postin e kryesuesit të KPK-së — u shpreh se po jepte argumentet e tij dhe se nuk po i bënte pyetje askujt. Megjithatë, Gashi u tregua i prerë duke deklaruar se rolet tashmë kanë ndryshuar dhe se është kryeprokurori ai që duhet të raportojë e të dëgjojë para Këshillit, e jo e kundërta. /E.A/
