UBT News

Përkujtohet heroi Hakif Zejnullahu: Organizohet aksion për dhurimin e gjakut dhe koncert memorial në Lladoc të Podujevës

Për të shënuar ditëlindjen e heroit të kombit, Hakif Zejnullahu, sot më 22 qershor, në Kompleksin Memorial “Baza e Parë e UÇK-së” në fshatin Lladoc të Podujevës, do të mbahen dy aktivitete të rëndësishme kulturore dhe humanitare në nderim të jetës dhe veprës së tij.

Nën moton domethënëse “Dhuro gjak, shpëto jetë!”, duke filluar nga ora 10:00 deri në 14:00, do të organizohet aksioni tradicional për dhurimin vullnetar të gjakut. Organizatorët ftojnë të gjithë qytetarët që t’i bashkohen këtij aksioni humanitar për t’u dalë në ndihmë atyre që kanë nevojë, duke nderuar kështu kujtimin e heroit.

Po ashtu, në mbrëmje, duke filluar nga ora 20:00, po në të njëjtin lokacion në Lladoc, do të mbahet koncerti përkujtimor i titulluar “Nisma e Lirisë”. Në këtë ngjarje kulturore do të performojnë emra të njohur të skenës muzikore dhe shoqërive kulturore.

Hakif Zejnullahu (22 qershor 1962 – 31 janar 1997) ishte një nga zërat dhe figurat kyçe të orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i komandantit Zahir Pajaziti.

Zejnullahu kishte një rol vendimtar në organizimin logjistik, furnizimin me armatim dhe kryerjen e aksioneve të para guerile kundër forcave policore dhe ushtarake serbe në rajonin e Llapit dhe më gjerë. Shtëpia dhe baza e tij në Lladoc shërbeu si një nga pikave të para dhe më të sigurta të koordinimit për celulat e hershme të UÇK-së (e njohur sot si “Baza e Parë e UÇK-së”).

Më 31 janar 1997, Hakif Zejnullahu ra heroikisht në një pritë të organizuar nga forcat policore serbe në fshatin Pestovë të Vushtrrisë. Së bashku me të, në të njëjtën makinë, ranë edhe komandanti Zahir Pajaziti dhe polici i UÇK-së, Edmond Hoxha.

Rënia e tyre shënoi një kthesë historike për lëvizjen çlirimtare, duke bërë që UÇK-ja të dalë gradualisht në skenë si forcë e fuqishme dhe e organizuar. Pas luftës, Hakif Zejnullahu u shpall “Hero i Kosovës” për kontributin dhe sakrificën e tij sublime për lirinë e vendit. /E.A/

 

Exit mobile version