UBT News

Posta e Kosovës përkujton Adem Demaçin me pullë postare kushtuar jetës dhe veprës së tij

Filatelia e Postës së Kosovës ka nderuar figurën emblematike të historisë së Kosovës, Adem Demaçin, përmes një pulle postare të veçantë kushtuar jetës, veprës dhe idealit të tij.

Në njoftimin e saj, Filatelia e Postës së Kosovës ka bërë të ditur se kjo pullë simbolizon kontributin e Demaçit për lirinë, drejtësinë dhe dinjitetin kombëtar.

Adem Demaçi, i lindur më 26 shkurt të vitit 1936 në Prishtinë, ndërroi jetë më 26 korrik 2018. Ai u bë një nga figurat më të njohura të rezistencës politike shqiptare në Kosovë, duke kaluar 28 vjet në burgjet e ish-Jugosllavisë për shkak të veprimtarisë së tij.

Për qëndresën dhe angazhimin e tij, Demaçi është cilësuar edhe si “Nelson Mandela i Evropës”, ndërsa në vitin 1991 u nderua me Çmimin Saharov nga Parlamenti Evropian.

Gjatë viteve 1998-1999, ai ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa më herët dhe më vonë mbajti edhe role të rëndësishme në jetën publike dhe kulturore të Kosovës./A.K/

Exit mobile version