Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve Viktima të Pafajshëm të Agresionit, Posta e Kosovës ka vënë në qarkullim emisionin e ri filatelik me titull “Engjëjt e Lirisë – shtatorja ‘Leotrimi i vogël’”.
Kjo ditë shërben si kujtesë globale për vuajtjet e fëmijëve të prekur nga luftërat dhe konfliktet e armatosura. Në këtë kuadër, emisioni i dedikohet kujtimit të fëmijëve që humbën jetën gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike, respektimit të të drejtave të fëmijëve dhe promovimit të paqes.
Pulla postare paraqet shtatoren “Leotrimi i vogël”, kushtuar Leotrim Ahmetit, e cila është shndërruar në simbol të kujtesës për fëmijët e prekur nga lufta. Përmes këtij motivi filatelik, Posta e Kosovës sjell në vëmendje domosdoshmërinë e mbrojtjes së fëmijëve dhe ndërtimit të një shoqërie të bazuar në paqe, dinjitet dhe solidaritet.
Emisioni thekson gjithashtu rolin e filatelisë si mjet dokumentimi të ngjarjeve historike dhe shoqërore, duke kontribuar në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe transmetimin e vlerave universale te brezat e ardhshëm.
Për realizimin e këtij motivi është përdorur pamja e shtatores “Leotrimi i vogël”, vepër e skulptorit Sabri Behramaj, e siguruar nga Komuna e Skenderajt.
Emisioni do të qëndrojë në qarkullim postar deri në konsumimin e plotë.
