UBT News

Posta e Kosovës nderon arkitektin Bashkim Fehmiu me pullë të re postare

Posta e Kosovës, përmes sektorit të saj të Filatelisë, ka lëshuar sot në qarkullim një pullë të re postare kushtuar arkitektit të shquar Bashkim Fehmiu (1930–2008).

Në historinë e Prishtinës moderne, emri i Bashkim Fehmiut mbetet gur themeli jo vetëm në arkitekturë, por edhe në vetë shpirtin e qytetit.

Ai nuk ishte thjesht një arkitekt që vizatonte ndërtesa dhe lagje; ai ishte një vizionar që mendonte përtej betonit, duke krijuar hapësira ku njerëzit mund të jetonin, mësonin dhe ëndërronin.

Kontributet e tij lënë gjurmë të pashlyeshme, që nga lagjet e mëdha të banimit e deri te kampusi i Universitetit të Prishtinës dhe ndërtimet ikonike si hoteli “Grand”. Falë projekteve të tij, kryeqyteti i Kosovës filloi të merrte formën urbane që e karakterizon sot.

Fehmiu themeloi Entin e Urbanizmit të Prishtinës dhe udhëhoqi zhvillime urbane dhe arkitekturore të rëndësishme në kryeqytet. Ai drejtoi Katedrën për Urbanizim dhe Planifikim Hapësinor deri në pensionimin e tij në vitin 1991.

Si pionier i arkitekturës moderne në Kosovë, Fehmiu e bëri arkitekturën pjesë të jetës së përditshme, duke u siguruar që çdo ndërtim të kishte jo vetëm funksion, por edhe shpirt. Punimet karakterizohen nga harmonia mes modernitetit dhe nevojave të njeriut, duke kthyer arkitekturën në një gjuhë të përbashkët për qytetarët e Prishtinës.

Librat e Bashkim Fehmiut janë dhuruar Fakultetit të Arkitekturës, ku është hapur një bibliotekë dhe ekspozitë që mban emrin e tij.

Me këtë emision filatelik, Posta e Kosovës vazhdon të promovojë vlerat kulturore dhe historike të vendit, duke ftuar koleksionistët, institucionet, bizneset dhe qytetarët të pasurojnë koleksionet e tyre me këtë nder të veçantë për figurën e arkitektit Bashkim Fehmiu. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version