Piktura më kurioze e Pablo Picasso-s e të dashurës së tij, Marie-Thérèse Walter, në të cilën ajo shfaqet si një krijesë deti me tentakula, është shitur për 67.5 milionë dollarë.
“Femme nue couchée” bëri debutimin e saj në ankand të martën në Sotheby’s në New York. Para shitjes, shtëpia e ankandit tha se shitësi anonim e bleu veprën direkt nga pasardhësit e Picasso-s në vitin 2006, pasi ajo kishte qenë në pasurinë e artistit për dekada. Picasso vdiq në vitin 1973, dhe Walter në vitin 1977.
Vepra, e realizuar në prill të vitit 1932 gjatë një periudhe të frytshme për artistin e famshëm modern, ishte një nga të shumtat që ai realizoi për Walter, e cila ishte nëna e fëmijës së tij të dytë, Maya. Kur u takuan, ajo ishte 17 vjeç dhe ai 45 vjeç dhe i martuar me balerinën ruso-ukrainase, Olga Khokhlova.
Portretet e Picasso të Walter janë bërë shumë të kërkuara. Një ndër veprat e tij mjaft të kërkuara është ajo e vitit 1932, “Femme assise près d’une fenêtre (Marie-Thérèse)”, që u shit për 103.41 milionë dollarë vitin e kaluar dhe “Nude, Green Leaves and Bust”, që u shit për një çmim rekord prej 106.5 milionë dollarë në vitin 2010./UBTNews/