UBT News

Portreti i parë i shkrimtarit Ismail Kadare është restauruar

Pas dekadash, portreti i parë i Ismail Kadaresë është rikthyer në gjendjen e tij origjinale falë një procesi të kujdesshëm restaurimi.

Punën e realizoi Olsi Laska, specialist i restaurimit të veprave të artit në Galerinë Kombëtare të Arteve, ndërsa studiuesja e artit Suzana Varvarica Kuka arriti të identifikojë përfundimisht autorësinë e veprës, e cila deri tani nuk dihej.

Rezultoi se portreti është vepër e piktorit Vilson Kilica, realizuar gjatë periudhës së studimeve të tij dhe të Kadaresë në Bashkimin Sovjetik, rreth vitit 1958.

Sipas Anisa Ymerit, drejtoreshë e Shtëpisë-Studio Kadare, piktura ishte në gjendje shumë të dëmtuar, pranë shkatërrimit të plotë.

Procesi i studimit dhe restaurimit filloi në janar 2024, me synimin për të shpëtuar një nga veprat më të rëndësishme të fondit të shtëpisë-muze.

Nga sot, portreti i restauruar do të ekspozohet për publikun në Shtëpinë-Studio Kadare, tërësisht e konsoliduar dhe e rinovuar.

Ymeri theksoi se kjo vepër ka vlerë të jashtëzakonshme artistike dhe historike, jo vetëm për fondin e shtëpisë, por edhe për trashëgiminë kulturore shqiptare.

Ismail Kadare, lindur në Gjirokastër më 28 janar 1936, u nda nga jeta më 1 korrik 2024 në Tiranë. Veprat e tij janë përkthyer në mbi 40 gjuhë të huaja, duke e bërë atë shkrimtarin shqiptar më të njohur ndërkombëtarisht dhe fitues të shumë çmimeve letrare kombëtare e ndërkombëtare. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version