Ministri i Jashtëm polak Radosław Sikorski reagoi ndaj incidentit të mbrëmshëm, kur një objekt u rrëzua në Poloninë lindore, dhe ministri i Mbrojtjes pretendon se ishte një dron me origjinë ruse.
Sikorski në rrjetin social X tha se do të ngrihej një protestë zyrtare kundër autorit të krimit, pa përmendur vendin që besohet se qëndron pas incidentit.
“Një tjetër shkelje e hapësirës sonë ajrore nga lindja”, shtoi ai.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes polak Władysław Kosiniak-Kamysz konfirmoi se mjeti fluturues që shpërtheu mbrëmë në Poloni tani besohet të jetë me origjinë ruse, raporton Guardian.
“Rusia po provokon përsëri vendet e NATO-s pas incidenteve me dronë në Rumani, Lituani dhe Letoni. Kjo po ndodh në një moment veçanërisht të rëndësishëm, ndërsa bisedimet e paqes janë duke vazhduar. Po ndodh në një kohë kur ka shpresë se lufta e nisur nga Rusia – një luftë kundër shtetit ukrainas, por edhe një luftë që kërcënon sigurinë e vendeve të NATO-s – ka një shans të përfundojë”, tha ai.
Mbrëmë një objekt i paidentifikuar ra në një fushë misri në qytetin Osiny në rrethin Łuków, në rajonin Lubelszczyzna, dhe policia gjeti mbetje metali dhe plastike të djegura në vend. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa dritaret e tri shtëpive aty pranë u thyen.
Për fat të mirë, askush nuk u lëndua.