Policia britanike ka zbuluar një parcelë gjigante të mbjellë me bimë kanabisi në një kështjellë në pronësi të aristokratit ekscentrik Sir Benjamin Slade.
Brenda pronës që është ndërtuar në shekullin e 17 u gjetën mijëra rrënjë bimë narkotike, sa policisë iu deshën dy ditë për t’i shkulur dhe asgjësuar ato.
Mësohet se aristokrati i njohur Slade e kishte dhënë më herët pronën në Somerset me qira, pa qenë në dijeni se aty zhvillohej një aktivitet i paligjshëm.
Kështjella Woodland e shtrirë në një sipërfaqe 12 hektarësh është njohur nga të gjithë si një vend luksoz që përdorej më herët për organizimin e dasmave dhe ceremonive të tjera.
Deri tani janë arrestuar 2 persona për lëndën narkotike, ndërkohë që vijojnë hetimet për gjetjen e personave të tjerë të përfshirë.