Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Policia Ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka ngritur kapacitetet e saj operacionale përmes një bashkëpunimi të ngushtë me Policinë Ushtarake të Kroacisë. Përmes një njoftimi zyrtar, ministri theksoi se FSK po vazhdon me sukses avancimin e kapaciteteve profesionale përmes trajnimeve të specializuara me partnerët ndërkombëtarë.
Gjatë javës së kaluar, në bashkëpunim me instruktorët kroatë, është realizuar për herë të parë Kursi për Intervenime dhe Kontrollim të Turmave. Ky trajnim ka integruar module të specializuara për intervenime të shpejta, kontroll të turmave, si dhe luftime në hapësira të mbyllura (CQB).
Sipas ministrit Maqedonci, gjatë këtij trajnimi intensiv, pjesëtarët e Policisë Ushtarake kanë zhvilluar aftësi të avancuara taktike dhe operacionale, duke dëshmuar profesionalizëm, disiplinë dhe gatishmëri të lartë. Ky aktivitet vlerësohet si një tjetër dëshmi e transformimit të vazhdueshëm të Policisë Ushtarake në një njësi moderne, të përgatitur plotësisht për t’u përballur me sfidat bashkëkohore të sigurisë.
