Policia austriake ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar për trafikim të narkotikëve gjatë një operacioni pranë Schwechat, në Austrinë e Poshtme.
Në mesin e të arrestuarve janë tre shtetas shqiptarë, të moshave 46, 42 dhe 38 vjeç, si dhe tre shtetas italianë, të moshave 72, 53 dhe 23 vjeç.
Hetimet ndaj grupit të dyshuar kishin nisur në fillim të qershorit nga Zyra e Policisë Kriminale Shtetërore të Vjenës. Më 1 tetor, pas veprimeve hetimore, policia identifikoi një lokacion dhe e vendosi nën vëzhgim me mbështetjen e njësisë speciale WEGA.
Gjatë operacionit, gjashtë personat u arrestuan. Hetuesit kishin siguruar edhe një kartë çelësi për një dhomë hoteli në Austrinë e Poshtme, ku gjatë kontrollit u gjetën rreth 11 kilogramë kokainë, para të gatshme dhe disa telefona celularë.
Tre shtetasit shqiptarë dhe tre shtetasit italianë janë dërguar në paraburgim.
Autoritetet austriake nuk kanë bërë të ditura detaje të tjera lidhur me identitetin e të arrestuarve apo rolin e tyre të dyshuar në trafikimin e drogës./A.K/
