UBT News

Policia sekuestron armë dhe municion në shtëpinë e të dyshuarit për vrasjen e Arlinda Zekajt

Policia e Kosovës ka sekuestruar armë, municion dhe mjete të tjera gjatë kontrollit të shtëpisë së një të dyshuari në fshatin Vitomiricë të Pejës, në kuadër të hetimeve për vrasjen e Arlinda Zekajt.

Sipas raportit shtesë të Policisë, gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie, 153 fishekë, disa karikatorë dhe pajisje të armës.

Po ashtu, zyrtarët policorë kanë sekuestruar tri thika, një bajonetë, 115 gëzhoja dhe një sëpatë. Rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”.

Sekuestrimi i këtyre sendeve është pjesë e veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të vrasjes. Megjithatë, nga informacionet e bëra publike nuk është sqaruar nëse sendet e gjetura ndërlidhen drejtpërdrejt me ngjarjen.

Vrasja e Arlinda Zekajt, e ndodhur më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ka nxitur reagime dhe diskutime për mbrojtjen e grave nga dhuna dhe përgjegjësinë institucionale.

Një ditë pas ngjarjes, më 26 tetor, Kuvendi i Kosovës mbajti seancë të jashtëzakonshme për vrasjen e Zekajt, rastet e tjera të vrasjes së grave dhe dhunën në familje. Gjatë diskutimeve, deputetët kërkuan shqyrtimin e veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve përgjegjëse, si dhe u ngrit iniciativa për krijimin e një komisioni hetimor parlamentar për të trajtuar përgjegjësinë institucionale në këtë rast.

/A.K/

Exit mobile version