UBT News

Policia konfiskon tri armë brenda 24 orëve në rajonin e Prishtinës, arrestohet një person

Brenda 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka realizuar tri aksione të ndara në rajonin e Prishtinës, të cilat kanë rezultuar me konfiskimin e tri armëve të zjarrit dhe shoqërimin e personave të dyshuar për “Armëmbajtje pa leje”.

Rastet kanë ndodhur në lokacione të ndryshme, ku në dy prej tyre armët u gjetën gjatë kontrolleve në komunikacion, ndërsa rasti i tretë lidhet me përdorimin e armës në një festë.

Në Obiliq gjatë një kontrolli të një veture në lëvizje, policia ka ndaluar të dyshuarin mashkull, të cilit në brez i është gjetur një pistoletë e tipit cal-9×19 mm me shtatë fishekë. Me vendim të prokurorit, ky person është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Në Prishtinë njësitet policore kanë ndaluar një tjetër veturë për kontroll rutinë, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me gas që përmbante tre fishekë. Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Në Podujevë Policia ka ndërhyrë pasi është raportuar për të shtëna në një aheng familjar. I dyshuari ka dorëzuar vullnetarisht armën me gas me të cilën kishte shtënë. Edhe pas kontrollit të shtëpisë së tij, nuk u gjetën sende të tjera të dyshimta dhe ai u lirua në procedurë të rregullt.

 

Exit mobile version