UBT News

Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të moshuari që u gjet pa shenja jete në Prizren

Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e një burri rreth 70-vjeçar, i cili u gjet i vdekur në rrugën “Edit Durham” në Prizren, saktësisht pranë banesave të ish-TMK-së.

Sipas njoftimit zyrtar, mjekët ligjorë kanë konstatuar se vdekja ka ndodhur rreth 2-3 orë para mbërritjes së ekipeve në vendngjarje.

“Patrulla policore, së bashku me ekipin kujdestar të hetuesisë dhe ekipin e krim-teknikës, kanë dalë në vendin e ngjarjes, i cili gjendet tek banesat e ish TMK-së. Sipas informatave fillestare viktima është mashkull i moshuar, rreth 70 vjeçar, ende i paidentifikuar. Ekipi i Urgjencës ka konstatuar se viktima ka ndërruar jetë të paktën 2–3 orë para mbërritjes së mjekëve. Nuk janë vërejtur shenja të një vdekjeje të dhunshme”, thuhet në njoftimin policor.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e krim-teknikës dhe prokurori i shtetit, i cili e ka cilësuar rastin si “hetim i vdekjes”. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Policia u bën thirrje të gjithë atyre që mund të kenë informacione mbi identitetin e viktimës të lajmërohen në stacionin më të afërt ose të telefonojnë në numrin emergjent 192.

 

Exit mobile version