Doganat holandeze sekuestruan më shumë se 1.6 ton kokainë të fshehur në ngarkesat e bananeve dhe kokrrave të kakaos në portin e Roterdamit, thanë prokurorët sot.
Droga me një vlerë prej 127 milionë eurosh, ishte fshehur në tre kontejnerë që mbërritën në portin më të madh të Evropës.
“Kontenieri i parë erdhi nga Ekuadori dhe ishte i ngarkuar me banane të destinuara për një kompani në Barendrecht, afër Roterdamit”, thanë prokurorët.
“Droga në kontejnerin e dytë u gjet në një ngarkesë me kokrra kakao, gjithashtu nga Ekuadori, por që kishte kaluar tranzit nëpër Kolumbi dhe më pas kishte mbërritur përmes Antwerp-it”, thanë ata.
Një kontejner i tretë, përmbante pesë çanta sportive plot me drogë.
Konfiskimet janë rritur shumë këtë vit në portin e Roterdamit, i cili tashmë konsiderohet si një nga portat kryesore të Evropës për drogën, veçanërisht kokainën./UBTNews/