UBT News

Europol dhe Policia e Kosovës në operacion kundër krimit të organizuar dhe narkotikëve

Një operacion i gjerë policor kundër krimit të organizuar, trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve dhe pastrimit të parave është duke u zhvilluar sot në disa lokacione të Kosovës, nën monitorimin e Prokurorisë Speciale dhe me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas njoftimit të Policia e Kosovës, aksioni lidhet me dyshimet për përfshirje në aktivitete të trafikimit ndërkombëtar me substanca narkotike, si dhe me veprat penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” dhe “pastrimi i parave”.

“Nën monitorimin e Prokurorisë Speciale, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Policia e Kosovës po zhvillon një operacion kundër krimit të organizuar në disa lokacione”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Në operacion po marrin pjesë edhe përfaqësues të Europol, si dhe autoritetet ligjzbatuese nga Belgjika, Franca dhe Holanda, duke dëshmuar karakterin ndërkombëtar të hetimit.

“Pas përfundimit të operacionit policor, në të cilin po marrin pjesë edhe përfaqësues të EUROPOL-it, autoriteteve të Belgjikës, Francës e Holandës, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës do të njoftojnë publikun përmes një komunikate të përbashkët”, theksohet më tej në komunikatë.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur ende numrin e personave të përfshirë apo rezultatet e aksionit, ndërsa më shumë detaje pritet të publikohen pas përmbylljes së operacionit dhe koordinimit ndërinstitucional.

Exit mobile version