UBT News

Policia e Kosovës shpëtoi dy qytetaret që ranë në humnerë në Prevallë

Policia e Kosovës ua ka shpëtuar jetën dy femrave që ranë në një humnerë 30 metra të thellë në Prevallë.

Sipas njoftimit të Policisë, ato teksa po shëtisnin në Prevallë, duke mos e njohur terrenin, ranë në humnerë.

“Më datë 01 nëntor 2020 rreth orës 14:00 min, policia në Prizren ka pranuar një informacion se dy persona të gjinisë femër përderisa ishin duke shëtitur në Prevallë, duke mos e njohur terrenin kanë rënë në një humnerë rreth 30 metra e thellë. Sapo është dhënë ky informacion janë angazhuar ekipet profesionale të policisë së Prizrenit dhe së bashku më zjarrfikëset dhe emergjencën janë nisur për në lokacionin edhe pse viktimat nuk e kanë ditur se ku gjenden saktë”, thuhet në njoftim.

Rreth orës 16:00, policia e ka gjetur lokacionin dhe ka kontaktuar me dy qytetaret që ranë në humnerë.

“Policia duke u angazhuar në mënyre profesionale, ka arritur të bëjë tërheqjen e viktimave nga humnera e thelle dhe viktimat janë përcjelle për në emergjencën e qytetit të Prizrenit dhe sipas raportit mjekësor njëra nga viktimat ka pësuar lëndim të rëndë në këmbë dhe si pasojë e këtij lëndimi ka frakturë e cila i ka pamundësuar daljen nga humnera”, thuhet tutje në njoftim.

Për këtë angazhim policia ka falënderuar edhe njësinë e Zjarrfikësve dhe Emergjencën të cilët kanë vepruar së bashku me policinë, ndërsa qytetares së lënduar i uron shërim, duke apeluar tek qytetarët që të jenë të kujdesshëm gjatë shëtitjeve sidomos në zonat e rrezikshme dhe që nuk kanë njohuri për terrenin. Për këtë ngjarje është njoftuar edhe Prokuroria themelore në Prizren./UBTNews

Exit mobile version