Sot, më 31 mars 2026, Prishtina është qendra e vëmendjes sportive botërore, pasi Stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë nikoqir i ndeshjes finale të play-off-it për Kampionatin Botëror “FIFA World Cup 2026” ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.
Dueli, i cili fillon në orën 20:45, konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e futbollit kosovar, çka ka shtyrë Policinë e Kosovës të ndërmarrë një plan gjithëpërfshirës për rendin dhe sigurinë publike.
Për të garantuar mbarëvajtjen e kësaj feste sportive, Policia ka njoftuar se do të ketë prani të shtuar të zyrtarëve në stadium, në të gjithë qytetin dhe në tri “Fan Zona” të krijuara enkas për tifozët.
Si pasojë e fluksit të madh dhe lëvizjes së delegacioneve zyrtare, do të ketë bllokime të përkohshme dhe kufizime të qarkullimit në rrugët kryesore të kryeqytetit.
Segmentet më të prekura përfshijnë rrugët “Tring Ismajli”, “Agim Ramadani”, “Eqrem Çabej”, zonën te semaforët kryesorë, Bulevardin “Bill Clinton”, rrethin te Stacioni i Autobusëve, si dhe rrugët “Hekurudhat” e “Tirana” që çojnë drejt stadiumit.
Gjithashtu, kufizime do të ketë në perimetrin rreth stadiumit, përfshirë rrugën “Luan Haradinaj” deri te Ministria e Drejtësisë dhe rrugën “Fehmi Agani”.
Pas përfundimit të ndeshjes, vëmendja do të përqendrohet në rrugët që dërgojnë drejt aeroportit, duke përfshirë lagjen “Arbëria” dhe rrugën “Ahmet Krasniqi”. Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve në terren, të shfrytëzojnë rrugë alternative sa më shumë që të jetë e mundur dhe të kontribuojnë në ruajtjen e qetësisë, duke e cilësuar sigurinë si një përgjegjësi të përbashkët për këtë ngjarje madhore.
