UBT News

Policia e Kosovës pret në takim zyrtar Shërbimin Sekret Amerikan

Policia e Kosovës, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se është arritur një hap i ri drejt fuqizimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe atyre të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas njoftimit, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, ka pritur sot në një takim zyrtar një delegacion të përbërë nga përfaqësues të Shërbimit Sekret të SHBA-së (US Secret Service) dhe zyrtarë nga Ambasada Amerikane në Prishtinë. Sipas njoftimit ky takim është zhvilluar në një frymë të lartë partneriteti dhe besimi të ndërsjellë.

Gjatë këtij bashkëbisedimi, fokusi kryesor ka qenë thellimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit profesional në fushën e sigurisë, shkëmbimi i përvojave operacionale si dhe avancimi i kapaciteteve institucionale. Policia ka potencuar se roli i SHBA-së mbetet jetik për zhvillimin e brendshëm të forcave të rendit.

“Në takim u theksua mbështetja e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për Policinë e Kosovës ndër vite, duke kontribuar drejtpërdrejt në ngritjen e standardeve profesionale dhe forcimin e institucioneve të sigurisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Më tej, në njoftim bëhet e ditur se ky partneritet do të njohë vetëm rritje në të ardhmen. “Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të vazhduar dhe zgjeruar partneritetin strategjik me institucionet amerikane në shërbim të sigurisë dhe sundimit të ligjit”, përfundon njoftimi zyrtar i policisë.

Ky takim vjen si vazhdimësi e përpjekjeve të Policisë së Kosovës për t’u rreshtuar krah agjencive më prestigjioze botërore për të garantuar një ambient të sigurt dhe luftimin e krimit të organizuar dhe sfidave të tjera të sigurisë.

 

Exit mobile version